Ardhja e afganëve në Shqipëri/ Vasili: Është objekt i protagonizmit idiot të Kryeministrit
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili , ka komentuar ardhjen e afganëve në vendin tonë.
Vasili është shprehur se lajmi është bërë i ditur nga një komunikatë e Kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, dhe sipas tij nuk ka asnjë lloj procedure dhe transparence, se sa shtë numri i saktë që do vijnë, si do të akomodohen dhe nga kush financohen.
Më tej ai thekson se Kryeministri ka harruar situatën aktuale në vend, dhe vëmendja është përqendruar tek afganët.
"Praktikisht nuk bëhet fjalë për asnjë lloj procedure dhe për asnjë lloj transparence. Kjo është një lloj transparence, jo është e qartë tashmë për të gjithë. Tashmë ne kemi dëgjuar vetëm një komunikim, publiku shqiptar është njohur me një komunikim të Kryeministrit në Facebook dhe kaq. I gjithë ai proces i domosdoshëm por edhe i detyrueshëm nga pikëpamja publike dhe kushtetuese që duhet ndërmarrë në një rast të tillë as nuk është bërë dhe as nuk ekziston dhe i gjithë ky problem është konsideruar si një çështje private e Kryeministrit që ka vendosur të tregohet zemërgjerë me një pronë e cila quhet Shqipëri.
Praktikisht Shqipëria nuk është pronë as Edi Ramës, e as një partie politike dhe as e një shqiptari të vetëm, dhe si e tillë, çdo veprim që ka të bëjë me sigurinë, kombëtare, me pritjen e kontigjentëve të caktuar, do kërkonte patjetër konsultimin e të gjithë institucioneve.
Të gjithë e kuptojnë shumë mirë se më së paku, Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, partitë politike, organizatat qeveritare, pra që përfaqësojnë komunitete të caktuara , nuk është konsultuar. Asnjë shqiptar i vetëm nuk di gjë për këtë dhe nuk ka të qartë sa afganë mund të presë vendi ynë. Nuk dihet se si mund të akomodohet, nuk dimë as se si financohet, nuk dimë as sesa do të qëndrojnë .
Ardhja e këtij grupimi mua nuk më thotë asgjë, përveç solidaritetit të natyrshëm. Ky është një rast i izoluar që ky është një komunitet në nevojë që ne shprehim solidaritet si gjithë të tjerët. Këtu bën diferencën vetëm një protagonizëm idiot i Kryeministrit, i cili ka 24/ 24 që flet vetëm për ta, ndërkohë që nuk flitet as për pandemi as për zjarre. Ky është thjesht një objekt i protagonizmit politik të neveritshëm kryesisht të panevojshëm. "- shprehet ai.
Intervistoi Anila Zyberi, përgatiti për online Anila Kolgjini.