Greqia nuk gjen qetësi nga zjarret, aktivizohet një tjetër vatër në Evia
Shteti helen nuk po gjen qetësi nga zjarret. Një vatër e re zjarri shpërtheu në orët e para të së hënës, 23 gusht, në një zonë pyjore në Evia, Greqi.
46 zjarrfikës me 20 automjete zjarrëfikëse dhe një grup këmbësorësh kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë, shkruan zougkla.gr.
Mjetet ajrore po shtohen vazhdimisht dhe tani 9 helikopterë po fluturojnë në zonë për shuarjen e zjarrit.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, zjarri po lëviz në drejtim të detit, gjë që është inkurajuese, pasi ekipet e zjarrëfikësve mund të jenë në gjendje ta kufizojnë flakët në orët e ardhshme.
Fillimisht, zjarri iu afrua shtëpive në fshatin Kokkini dhe përmes numrit emergjent '112' u dërgua një mesazh për të evakuuar vendbanimin herët në mëngjesin e së hënës. Urdhër evakuimi u lëshua edhe për Kooperativën e Ndërtimit të Mjekëve dhe më pas për Marmarin.
Trafiku i automjeteve është ndalur përkohësisht në të dy rrymat e trafikut. Që nga muaji korrik zjarret e egra kanë shkatërruar ishujt Evia dhe Rodos si dhe pyjet në veri dhe juglindje të Athinës, dhe disa pjesë të gadishullit të Peloponezit. Si pasojë, tre persona kanë vdekur.
Shkencëtarët e klimës paralajmërojnë se moti ekstrem dhe zjarret e ashpra do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ngrohjes globale të krijuar nga njeriu.


