Tronditet Kosova: Keqtrajton 18 vjeçaren deri në vdekje dhe e lë në derë të spitalit. Në kërkim autori, arrestohet bashkëpunëtori

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën. Një vajzë 18 vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendren Emergjente në Ferizaj të dielën e 22 gushtit.

Vajza është dërguar me me një veturë të tipit Audi me targa të Zvicrës nga dy të rinj të cilët më pas janë larguar.

Por fotografitë e dy të rinjve janë nxjerrë prej kamerave të sigurisë së spitalit.

“Në lidhje me këtë hetuesit rajonalë, pasi kanë grumbulluar disa informacione në terren, kanë siguruar prova materiale, përmes kamerave të sigurisë dhe deklarata, ku kanë gjetur edhe vendin e krimit, që është kryer në një objekt banesor të një rruge në Ferizaj, si dhe kanë identifikuar dy të dyshuarit e kësaj ngjarjeje”, ka bërë të ditur Policia.

Policia informon se është ndaluar njëri prej djemve. I riu me inicialet A.S. 32 vjeç është ndaluar për 48 orë për shkak të dyshimit se ka bashkëpunuar në vrasjen e 18 vjeçares.

Ndërkohë është shpallur në kërkim  i dyshuari tjetër D.K, 29 vjeç pasi dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, informoi sot policia e Kosovës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për ti nënshtruar autopsisë.