Arrestohet për zjarrvënie ish-zëvendës ministri i Integrimit dhe Shëndetësisë

Ish-zëvendës ministri i Integrimit dhe Shëndetësisë, Albert Gajo është arrestuar nga Policia e Kolonjës për zjarrvënie.

59 vjeçari me banim në Tiranë, sipas policisë ishte shkaktari i zjarrit që dogji një pjesë të një vreshti dhe një sipërfaqe tjetër me bimësi në zonën e Sarandoporit.

Pas largimit nga politika aktive, Gajo merrej me vreshtari dhe prodhonte verë e raki.

Ditën e djeshme sipas burimeve, ai ka përdorur kapsolla për të trembur zogjtë që të mos i dëmtonin vreshtin, çka është bërë shkak për zjarrin që doli jashtë kontrollit.

Situata për disa orë ishte problematike dhe për të vënë flakët nën kontroll u kërkua ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.

Pas denoncimit të banorëve të zonës  policia vuri në pranga ish zëvendës ministrin për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr.”

Pedagogu Albert Gajo ka qenë Zëvendës Ministër i Integrimit në vitet 2005-2009 dhe Zëvendës Ministër i Shëndetësisë në vitet 2009-2013.

Ndërkohë 45 vjeçar u vu në pranga në Durrës dhe vëllai i tij u shpall në kërkim për zjarrvënie të qëllimshme.

Muharrem dhe Kujtim Çaushi sipas policisë u vunë zjarrin një ullishteje në fshatin Maskuri,, ku më pas flakët përfshinë një sipërfaqe prej 10 hektarësh.

Procedohen penalisht dy shtetas për zjarrvënie në Elbasan.

27 persona janë arrestuar, 30 po hetohen në gjendje të lirë dhe 6 persona janë në kërkim si shkaktarë të zjarreve nga 25 Korriku.

Zjarrvënia ndëshkohet me gjobë deri në 15 vite burg, kur ka pasoja të rënda.

Arrestohet për zjarrvënie ish-zëvendës ministri i Integrimit