Kishte ardhur me pushime nga Anglia, 6-vjeçari humb jetën pas përpalsjes nga furgoni në Shëngjin

Një 6 vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një furgon në Shëngjin, ku i mituri ishte me pushime bashkë me familjen me origjinë nga Burreli por që jeton në Angli.

Fëmija po kalonte rrugën bashkë me familjarët, por në një moment u është shkëputur dhe në atë kohë është përplasur nga mjeti i transportit.

Goditja ka qenë e fortë dhe 6 vjeçari mori plagë të renda të cilat i shkaktuan vdekjen në spital, pavarësisht ndihmës mjekësore.

Lodrat e përgjakura dhe pajisjet e plazhit mbetën për disa minuta në rrugë si dëshmi e ngjarjes tragjike.

Shoferi i furgonit, u shoqërua në polici për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe përgjegjësive për aksidentin fatal.

I mituri ishte viktima e 4  në rrugët e vendit në harkun e 24 orëve, dhe e treta mes këmbësorëve.

Mbrëmjen e së martës, dy këmbësorë u përplasën për vdekje në Tiranë dhe Elbasan.

Ndërsa më herët gjatë ditës, një 58 vjeçar humbi jetën në Berat, pasi kamionçina me të cilën udhëtonte doli nga rruga në Rroshnik.

Aksidentet kanë shkaktuar bilanc tragjik në rrugë këtë verë, ku shkak kryesor sipas ekspertëve ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit.