Shkon për vizitë, humb jetën duke pritur në poliklinikë 65 vjeçari në Berat

Një 65 vjeçar ndërroi jetë në radhë në ambientet e poliklinikës së Beratit.

Burimet thonë se Luan Hysi pësoi atak kardiak ndërsa  priste për të marrë shërbimin shëndetësor.

Qytetarët dhe mjekët tentuan t'i japin ndihmën e parë, por 65 vjeçari nuk i mbijetoi sulmit në zemër.

Mësohet se 65-vjeçari ishte me dializë.

Ai ishte paraqitur për të marrë rekomandimin për të vijuar trajtimin, ku po qëndronte në radhë në një kohë kur temperaturat mbeten të larta.

Pas ngjarjes së rëndë, rojet e sigurisë ndaluan hyrjen e gazetarëve për të verifikuar kushtet në të cilat presin në radhë pacientët për të marrë shërbimet shëndetësore tek mjekët specialist.

Policia e Beratit ndërkohë ka nisur një hetim për sqarimin e rrethanave të vdekjes së 65 vjeçarit brenda poliklinikës së Specialiteteve.