Goci: Zjarri në "Saraje" i qëllimshëm, plani për të ndërtuar pallate këtu i vjetër

Vila e Sarajeve në Tiranë, e shpallur monument kulture e kategorisë së parë është përfshirë nga flakët gjatë natës. Raportet paraprake flasin për një zjarrvënie të qëllimshme, por ende policia nuk ka një variant zyrtar.

Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj na informon se efektivët e policisë së shtetit së bashki me ata të bashkisë vijojnë të qëndrojnë në derë të Sarajeve në pritje ët grupit të ekspertëve.

Zjarri është vendosur brenda godinës, nga pjesa e jashtme nuk ka dëmtime. Kamerat e zonës përreth janë sekuestruar dhe do të bëhet një këqyrje paraprake e tyre.

Pedagogu Ervin Goci në një komunikatë për medien u shpreh :"Nga të gjitha informacionet dhe sinjalet që ne kemi është që këtu do ndërtohet pallat. Nuk ka fare lidhje kjo me Muzeun. Zoti Veliaj s'ka punë fare të flasë se nuk është pronë e tij, kjo është nën mbikëqyrjen e ministrisë së Kulturës. Kjo godina ka qenë pa roje dhe është lënë qëllimisht kështu që të vijë dikush ti vërë flakën. Faktet janë që kjo është godinë e pambrojtur dhe nuk ka reaguar asnjë. Kjo është një formë për ta zhveshur godinën nga statusi, për t'ia hequr të gjitha përgjegjësitë dhe për t'ia dhënë një institucioni i cili është kthyer sot koka e mafies në Tiranë.

Bashkia Tiranë negocion territore për ndërtim, nuk ka lidhje me këtë, nuk e trajton dot. Na del kryebashkiaku si kryeministër lokal, për çdo gjë flet ai, e merr ai, s'ka punë fare. Plani për të ndërtuar këtu është shumë i vjetër dhe firma për të mos ndërtuar është vetëm një person që e ka mbajtur dhe nuk e ka dhënë akoma për ndërtim. Kjo është bërë qëllimisht  për ta marrë pronën sepse këta thonë që ja prona nuk është e sigurt, ja ra flaka të paktën ta marrë dikush, krijohet konteksti për t marrë. Këtu duan të ndërtojnë pallate, e merr në dorëzim në fillim, pastaj fillon negocion, i vë flakën më vonë, pastaj thonë i iku vlera siç e bëri me Teatrin."

Sipas Gocit kjo është një çështje e cila kërkon një hetim të thellë.