"Rruga e florinjtë e unazës", 62 milionë euro për 3 kilometër rrugë, ARRSH hap tenderin
Unaza e madhe e Tiranës do t'i kushtojë buxhetit të shtetit edhe 62.5 milionë euro, të cilat do të paguhen për ndërtimin e tre kilometrave.
Kujtojmë se edhe më herët janë ngritur akuza se për një kilometër të këtij aksi paguhen 20 milionë euro, një shifër kjo mjaft e lartë.
ARRSH ka publikuar në agjencinë e prokurimeve publike hapjen e garës dhe kompanitë do të kenë afat deri në 16 shtator për të dorëzuar dosjet.
Për Ndërtimin e segmentit rrugor Sheshi Shqiponja - Bulevardi i Ri, fondi limit shkon 2.486 miliardë lekë të reja nga Sheshi Shqiponja - Bulevardi i ri - Shkozë, Urat mbi lumin Tirana, jepen 2.6 miliardë lekë të reja, si edhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja - Lumi i Tiranës, fond limit është 2,375 miliardë lekë të reja.
Ekspertë ndërtimi dhe opozita e djathtë e kanë konsideruar me të drejtë projektin e Unazës së Re si “rruga e florinjtë”, për shkak të kostove tepër të larta, duke mbajtur në konsideratë se terreni i punimeve është fushor dhe nuk ka pengesa të rëndësishme natyrore.
Një tender me kosto të ngjashme, me vlerë 20 milionë euro për kilometër në aksin Pallati me Shigjeta- Sheshi Shqiponja, u shndërrua në një temë të nxehtë debati politik dhe publik më shumë se dy vjet më parë. Vlera totale e Unazës së Madhe shkon në 156 miliardë lekë të vjetra, ose rreth 130 milionë euro.


