"Është detyrë ndaj NATO-s, jo dëshirë e kryeministrit", Klosi: Ardhja e afganëve nuk krijon problem për sigurinë kombëtare
Ardhja e shtetasve afganë në Shqipëri ka shkaktuar dhe polemika. Ditën e sotme u bë me dije se rreth 250 afganë pritet të vijnë në Shqipëri brenda kësaj jave.
Fatos Klosi, ish kreu i SHISH i ftuar në studion e RTV Ora u shpreh se nuk ka asnjë lloj shqetësimi për sigurinë kombëtare të vendit ardhja e këtyre shtetasve. I vetmi shqetësim, sipas zotit Klosi është akomodimi.
Klosi: "Nuk ka asnjë lloj shqetësimi. Problemi është që duhet t'i gjejmë vend ku do akomodohen, ne jemi vend i vogël dhe nuk kemi shumë hapësira në këtë drejtim, por asgjë tjetër. Shqipëria nuk është ndonjë vend ku pretendojnë të rrinë emigrantët, ata duan të ikin një orë e më parë. "
Zoti Klosi e shikon të gjithën si një situatë emergjence e cila e gjeti vendin tonë të papërgatitur.
Klosi: "Faza e parë është e paqartë se ndodhi papritur, është emergjencë faktikisht që vijnë 250 afganë. Shqipërinë e gjen të papërgatitur, ne e dëgjuam sot se është dhënë urdhër që të shkojnë në konvikt. Nuk është normale të shkojnë në konvikt pasi konviktet janë për studentët, por është e papërgatitur. Mbase do gjendjet një akomodim më serioz."
Ish-kreu i SHISH e shikon këtë vendim si një detyrim ndaj Aleancës dhe jo si dëshirë të kryeministrit.
Klosi: "Ky vendim është në kuadër të bashkëpunimit me NATO. Ky është një lloj detyrimi ndaj Aleancës, jo si dëshirë e kryeministrit. Ne nuk kemi kontribute të mëdha në NATO, të paktën të bëjmë këto problemet e prapavijës. Unë them shyqyr që na jepet rasti që në NATO të bëjmë diçka."
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
