Menaxhimi vendor për zjarret, eksperti: Bashkitë kanë përgjegjësi të mbrojnë territorin, sistemi lë për të dëshiruar

Kreu i shoqatës së bashkive dhe ekspert i pushtetit vendor Argon Haxhimali i ftuar në studion e Ora News foli për situatën e zjarreve në vendin tonë dhe menaxhimin e kësaj emergjence nga ana e pushtetit vendor.

Sipas zotit Haxhimali Shqipëria nuk është e përgatitur dhe nuk ka imunitet për të përballuar fenomenet që lidhen me ndryshimin e kushteve klimatike.

Haxhimali: "Shqipëria referuar ndryshimeve klimatike, referuar ngrohjes globale apo çdolloj fenomeni natyror të cilin nuk e kontrollojmë dot nuk ka imunitet për të përballuar gjëra dhe fenomene të tilla. E parë nga këndvështrimi se  sa ne jemi në gjendje t'i përballojmë këto, në çfarë shkalle jemi të përgatitur, të organizuar nga pikëpamja e burimeve njerëzore, institucionale ne futemi tek ato vende me nivel shumë të ulët dhe nivel shumë të ulët parandaluese, me fuqi të ulët përballuese dhe me një potencial të ulët për të rigjeneruar ekonominë. Ne vazhdojmë me metodat e vjetra, një organizim një përpjekje e mundimshme për të fikur zjarrin me mjete rrethanore. "

Për zotin Haxhimali, bashkia ka përgjegjësinë e menaxhimit dhe për mbrojtjen civile. Por sipas tij, sistemi lë shumë për të dëshiruara, pasi pushteti vendor nuk është "perfeksionuar" me zhvillimin e teknologjisë.

Haxhimali: "Bashkitë kanë përgjegjësi për menaxhimin dhe për mbrojtjen civile, por çfarë është trashëguar ishte shumë e varfër. A janë pasuruar gjatë këtyre 5-6 viteve me teknologji, makineri apo pajisje të tjera? Më vjen keq të them, por nuk janë pajisur. Ashtu i kanë gjetur, ndonjë lëvizje e vogël, ndonjë organizim shumë i vogël por sërish të pafuqishëm për ta përballuar. Zjarret e kësaj periudhe treguan se sistemi lë shumë për të dëshiruar."

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku