Atentati në Theth: Paulini u godit gabimisht, objektiv ishte i riu nga Dobraçi në makinën pas. Arrestohen autorët

Paulin Harusha, 23 vjeçari, i cili mbeti i plagosur në atentatin e mbrëmjes së 9 gushtit ka qenë shënjestra e gabuar, informoi sot policia e Shkodrës e cila ka arritur të zbardhë dhe dokumentojë këtë ngjarje.

Nga sa ndërton ngjarjen policia mësohet se objektiv ka qenë një 28 vjeçar banues në Dobraç në konflikt me autorët.

23 vjeçari po udhëtonte me mjetin e tij nga Thethi në drejtim të fshatit Nderlysë. Pas tij vinte makina ku ishte objektivi i atentatit për të cilën janë arrestuar vëllezërit Koçeku.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Nikolin Koçeku i kishte kërkuar 600 euro shtetasit Gj. K., 28 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, me të cilin ka patur konflikt të mëparshëm, dhe ky shtetas ka qenë objekti, pasi 28-vjeçari qarkullonte me mjet pas automjetit të shtetasit P. H., në momentin kur shtetasi P. H. është plagosur me armë zjarri nga shtetasi Kujtim Koçeku” informon policia.

Kujtim Koçeku, 38 vjeç, banues në Shkodër është arrestuar për veprën penale “Vrasja me paramendim“ e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”

Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasit Nikolin Koçeku, 37 vjeç, vëllai i shtetasit Kujtim Koçeku, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme