Drejtësi për fëmijët e vrarë në luftë, mbi 1,024 humbën jetën, 109 rezultojnë të zhdukur pas 22 vitesh

Kosova vazhdon të kërkojë drejtësi për mijëra shqiptarët e vrarë gjatë konfliktit luftarak me Serbinë, qindra prej tyre të moshave të reja.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, 109 fëmijë rezultojnë të zhdukur ndërsa mbi 1,024 humbën jetë në luftë.

Drejtori i Fondit, Bekim Blakaj, thotë për agjencinë e lajmeve "KosovaPress" se fajtorët nga pala serbe jetojnë të lirë dhe ka pak përpjekje për t'i zbardhur krimet e tyre.

“Bëhet fjalë për dy procese gjyqësore që kanë të bëjnë me masakrën që ka ndodhur në Podujevë me 28 mars ’99, ku janë vrarë fëmijë, gra dhe pleq të familjeve Bogujevci dhe Bulliqi. Është një numër prej pesë personave të cilat janë të dënuar për këtë masakër. Po ashtu ka qenë një gjykim për krimin masiv që është kryer me 26 mars të vitit ’99 të familjes Berisha në Suharekë, ku edhe aty ka pasur një numër shumë të madh të fëmijëve që janë vrarë," tha Blakaj.

22 vjet pas luftës, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte, edhe ndaj fëmijëve.

Kur flitet për zbardhjen e fatit të fëmijëve dhe të tjerëve të cilët i pësuan masakrat, gishti u drejtohet partive politike që nuk kanë pasur një strategji të qartë, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

“Me vet faktin që brenda vitit kemi numër të papërfillshëm të aktakuzave që ngritën për krime lufte, ku përfshihen fëmijët, gratë, të moshuarit, të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë, mund të themi që për 21 vite prej kur ka përfunduar lufta, qoftë UNMIK-u, qoftë EULEX-i, qoftë institucionet e Republikës së Kosovës iu kanë ofruar pandëshkueshmëri të plot të gjithë atyre kryerësve të krimeve në Kosovë," tha Miftaraj.

Për krime lufte llogaritet se ka më shumë të dënuar shqiptarë sesa serbë që punonin për aparatin jugosllav në ushtri, polici ose si civilë.

Kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se vendit i mungojnë kapacitetet për të hetuar krimet.

“Kosova nuk ka pasur kapacitete paslufte për të ndjekur krimet e luftës, por as për të gjykuar krimet e luftës. Por edhe tash me këtë kapacitet që ka qoftë të prokurorëve, hetuesve, gjykatësve, nëse nuk bëhet një rritje e numrit do të kalojnë me qindra vite për të gjykuar ata të cilët kanë bërë krime, por jam i bindur që pavarësisht vullnetit politik të deklaruar, mendoj se është problem sepse kemi mungesë të profesionistëve të fushës," tha Shala.

Ministria kosovare e Drejtësisë thotë se e ka prioritet adresimin e krimeve të luftës dhe po përgatit një draft-dokument që përmbledh fakte e dëshmi nga periudha, dhe ka ndarë buxhetin për të rritur numrin e prokurorëve me këtë rast.