Gjithë Ballkani "lufton" me flakët/ Kosova mobilizon ushtrinë, Greqia evakuon mijëra banorë

Evropa është ende në gjysmën e verës por pjesë të saj po digjen nga zjarret e stinës prej Turqisë në Spanjë, në Itali dhe në Ballkan.

Turqia Jugore ka raportuar bilancin më të rëndë me tetë viktima, ndërsa situata vijon të jetë alarmante në Greqi, ku prej katër ditësh janë evakuuar dhjetëra fshatra në jug të saj.

Zjarrfikësit i përqendruan operacionet e së premtes sërish te ishulli i Evias afër Athinës, me mbështetjen qindra homologëve europianë.

Problemet më madhore po i paraqit qyteza e Afidnesit ku flakët përparuan te godinat dhe banesat përgjatë autostradës kombëtare.

Shuarja e flakëve është parashikuar të vështirësohet të premten kur do të rritet fuqia e erërave, dhe shpresat janë për ulje temperaturash e reshje në verilindjen e vendit.

Më në veri, Maqedonia e Veriut shpalli një ditë më parë gjendjen e krizës 30-ditore nga zjarret dhe regjistroi viktimën e parë.

Flakët kanë vrarë persona edhe në Shqipërinë e Kosovën fqinje, ku paraditen e së premtes pati 9 vatra aktive, më të rëndat në parkun kombëtar të Bjeshkëve të Namuna.

100 ushtarakë po përkrahin në terren autoritetet civile, të fokusuar te shpëtimi i jetëve të njerëzve dhe te minimizimi i pasojave të zjarrit.

“Aktualisht zjarre ka ende në Shtupeq të Pejës, vatra të zjarrit kryesisht edhe pasi të fiken riaktivizohen dhe rindizen për shkak të erërave që janë duke vazhduar dhe normal motit të nxehtë. E kemi nën menaxhim dhe kontroll të plot gjendjen në fshatrat e komunës së Suharekës ku janë fikur zjarret si dhe gjatë mbrëmjes dhe orëve te hershme të mëngjesit të sotëm është fikur edhe zjarri në fshatin Peqan dhe Sllobozhan.”

Muaji korrik ishte muaji i dytë më i nxehtë për Evropën, me temperatura që arritën kulmin prej 47 gradë Celsius në Greqi.

Autoritetet greke thonë se po përballin një mot ekstrem të paparë prej 30 vitesh, ndërsa Italia shton se klima është përgjegjëse për një pjesë të zjarreve në Sicilinë jugore, pasi 70 për qind e fajit për zjarret u takon vetë njerëzve.