“Unë jam mirë kur është mirë Serbia” parulla kundër Ramës në Kosovë

“Unë jam mirë kur është mirë Serbia”

Disa parulla kundër Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, janë shfaqur të shkruara në muret e ndërtesave në Kosovë.

Parullat anti-Rama në Kosovë shfaqen disa ditë pas takimit të kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për nismën e quajtur “Ballkani i Hapur”.

Parulla “Unë jam mirë kur është mirë Serbia – Edi Rama”, është një ironi për Kryeministrin shqiptar, me shprehjen e famshme të Isa Boletinit, “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria”.

“Unë jam mirë kur është mirë Serbia”

Kjo nismë është kundërshtuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e bojkotoi takimin, e po ashtu është kundërshtuar edhe nga ekspertë e politikanë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, që tani është emëruar “Ballkani i Hapur”, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Këtë iniciativë si Kosova kategorikisht e refuzuan edhe Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina, edhe për këto vende Rama pati fjalë.