Turistët e pakënaqur me çmimet, në Sarandë fruta-perimet konsiderohen të shtrenjta
Sezoni i verës është edhe koha kur prodhohen frutat dhe perimet.
Në Sarandë tregtarët shprehen se ky ka qenë ndër vitet më të mira përsa i përket prodhimeve por edhe cilësisë.
"Ka shumë prodhim të mirë të vendit, të bollshëm, shumë të pastër."
Por për shitësit, të ardhurat e tyre janë të pakta, ndaj shpresojnë që muaji Gusht të sjellë më shumë vizitorë e për pasojë të rriten të ardhurat e tyre.
"Ajo pritshmëri e madhe jo, se orët e pritjes janë shumë të mëdha, ne vijmë që në orën 06:30."
Për ta çmimet janë të ulëta.
"Çmimet janë ulur akoma më shumë në krahasim me muajin, se nga muaji në muaj prodhimi rritet."
Por, nëse për tregtarët çmimet janë të ulëta, për turistët e huaj ato janë të larta, ndërsa nuk kanë rezerva për cilësinë.
"Çmimet janë të larta, por produktet janë të freskëta. Është hera ime e parë që ble këtu dhe fruta-perimet më pëlqejnë. Nuk kemi tregje të tilla në vendet tona kështu që është mirë që njerëzit blejnë këtu."
Pandemia e koronavirusit ka ndikuar shumë në të ardhurat për fermerët në vendin tonë, ndërsa të gjithë presin që ky sezon të kompensojë sadopak humbjet e një viti më parë.
