Situata dramatike nga zjarret në Greqi, vijon evakuimi i banorëve. Flakët kërcënojnë vendbanimet
Autoritetet greke urdhëruan të enjten evakuimin e banorëve në ishujt afër Athinës dhe luftuan me vatrat e zjarrit në qytetin antik të Olimpit.
Flakët në vend po përhapen prej temperaturave mbi 40 gradë dhe erërave të forta, të cilat i kanë vështirësuar operacionet e shuarjes.
Fshatrat e ishullit Evia u zbrazën nga banorët gjatë natës, ndërsa në Peloponez, zjarrfikësit arritën me sukses të fikin zjarrin që rrezikoi thesaret arkeologjike 2,800-vjeçare të Olimpit.
Në zonën e Varibobit, në rrethinat e Athinës, u shpall gjendja e emergjencës prej 114 vatrave të reja që morën hov brenda ditës.
Ministria e Shëndetësisë udhëzoi banorët në zonat e prekura, si të moshuarit, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe fëmijët, që të mos dalin nga banesa dhe të mbajnë një maskë të tipit N95 ose FFP2 për të evituar thithjen e grimcave të vogla që janë mbi nivelin e kërkuar për shkak të ndotjes nga tymrat.
Qiproja, Suedia dhe Franca dërguan përforcime pas apelit të Greqisë për ndihmë nëpërmjet Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.
Qeveria greke mobilizoi edhe forcat e armatosura në operacionet e shuarjes.
Zjarret në pyje janë një fenomen i zakonshëm për Greqinë për shkak të verës së nxehtë dhe të thatë, por vatrat e katër ditëve të fundit konsiderohen tepër agresive.
Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës që monitoron situatën, territori i shkrumbuar prej fillimit të gushtit është sa gjysma e sipërfaqes që digjet gjatë një sezoni tipik zjarresh në vend.
Zjarret në Atikë, në ishujt e Rodit dhe Evias, kanë djegur gati 6 mijë hektarë tokë, ndërsa gjithsej në 2020-ën u dogjën 10 mijë dhe më shumë se 9 mijë hektarë në vitin 2019.


