Zeka: Njerëzit më të pasur në Shqipëri e kanë nisur punën me para serbe, nismat rajonale dështim
Në një intervistë për Ora News, gazetari Milaim Zeka u shpreh se njerëzit më të pasur të Shqipërisë, punën e tyre e kanë nisur me paratë e njeriut më të pasur të Serbisë, i quajtur Mishkoviç.
Sipas tij, nismat si ajo e Ballkanit të Hapur janë lojëra të politikanëve ballkanikë për të shitur patriotizëm për qytetarët e vet dhe nën rrogoz për të bashkëpunuar me bizneset serbe ose maqedonase a malazeze.
Zeka: Njerëzit më të pasur të Shqipërisë, punën e tyre e kanë nisur me paratë e njeriut më të pasur të Serbisë, i quajtur Mishkoviç. D.m.th kompanitë serbe janë futur në tregun e Tiranës menjëherë pas luftës. Kompanitë më të fuqishme të Kosovës prapa tyre i kanë paratë serbe dhe kush vuan në Kosovë e Shqipëri, qytetarët e thjeshtë ata që përnjëmend e duan vendin e tyre.
Këto lojërat e politikanëve ballkanikë për të shitur patriotizëm për qytetarët e vet dhe nën rrogoz për të bashkëpunuar me bizneset serbe ose maqedonase a malazeze ne si gazetarë i njohim. Është një biznesmen serb në veriun e Mitrovicës, i quajtur Milan Radoiçiç. Të gjithë liderët tonë politikë kanë bashkëpunuar me të dhe kanë pasur mikun më të ngushtë sepse ai punon ngushtë me vëllain e Aleksandër Vuçiç. Prandaj paraja për liderët tanë politikë është para moralit dhe para patriotizmit. Mbi bazën e kësaj unë jam i bindur se qytetarët do të përfitojnë nga një Ballkan i hapur nga lëvizja e lirë e qytetarëve në rajon.
Po ashtu, Zeka shtoi se shumë marrëveshje mes vende të Ballkanit, dhe Shqipërisë e Kosovës janë miratuar, por nuk janë zbatuar kurrë.
Zeka: Le të shkojë Rama në Morinë dhe të presë disa orë atje, ku kosovarët presin me orë të tëra bashkë me fëmijët. Ka disa muaj që mediat në Kosovë kanë raportuar që taksa për tu futur në Malin e Zi është hequr ajo taksa për tu futur, por realisht nuk është hequr. Prandaj këto konferenca të liderave ballkanike janë vetëm të tilla dhe nuk kanë asnjë vlerë. Edhe me Shqipërinë janë miratuar shumë rezoluta, por asnjëra nuk është miratuar. Në Morinë na kontrollojnë kur futemi dhe dalim, sepse Rama do të dalë të thotë se ka pasur kaq turistë, vetëm për të rritur numrin e turistëve.
Ky është një spektakël mediatik i politikanë sepse asnjë nga marrëveshjet mes dy vendeve nuk janë realizuara. Ku është porti i Shëngjinit që u premtua me pompozitet nga Rama? Tha se do t'ia jepte Ramës. Unë për vetë jam skeptik për këto nisma dhe zgjedhjet në Serbi janë vitin e ardhshëm dhe Vuçiç po luan rolin e Titos si një person i hapur ndaj perëndimit, për të fituar edhe një palë zgjedhje të tjera. Nëse Rama është futur në këtë nismë pa një konsultë pa BE-në dhe SHBA-në, ai ka bërë një gabim shumë të madh dhe kjo nismë do të dështojë.