Operacioni në Vorë-Fushë Krujë, i prangosin në mes të rrugës dhe i sekuestrojnë thasët me kanabis
Një sasi prej 62 kg lëndë narkotike është sekuestruar nga policia në aksin Vorë-Fushë Krujë ndërsa u arrestuan në flagrancë 7 persona.
Këta shtetas kanë qenë duke qarkulluar me 3 mjete të ndryshme. Pas ndalimit nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në njërin prej mjeteve u gjetën rreth 62 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 mjetet dhe 12 aparate celulare.
Operacioni u kodua "Motoristi".
Të arrestuarit
Në pranga përfunduan Korab Cala, 39 vjeç, Onfred Dedja, 44 vjeç, Klejvis Metalla, 20 vjeç, banues në Tiranë, Gernard Lala, 28 vjeç, banues në Dibër, Anton Gjini, 39 vjeç, Gerald Stema, 22 vjeç dhe Alfred Sefa, 40 vjeç, banues në Krujë.
Sipas policisë ata po lëviznin me tre mjete, ku në njërën ndodhej droga ndërsa dy të tjerat luanin rolin e shoqërueseve, skemë që përdoret nga trafikanët për ti shpëtuar postblloqeve të mundshme.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.


Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike" kryer në bashkëpunim.


Ndërkohë në Tiranë, policia kapi një shpërndarës të lëndëve të forta narkotike në lagje të ndryshme të kryeqytetit
Sipas policisë Anteo Guci, e shiste drogën në zonën e Yzberishtit, Pallateve Çabej dhe Astirit, kundrejt vlerës 3500 deri në 7000 lekë të rinj për dozë.
Operacionin policor u kodua "Detonatori".