Koplikaj: Në kampet siriane ka shumë shqiptarë që duan të kthehen, s'kemi komunikim direkt me kurdët

Në një intervistë për Ora News, gazetari Taulant Koplikaj u shpreh se në Al-Hol janë pjesa më e madhe e xhihadistëve dhe grave, ndërsa në Rozh ka më pak persona.

Sipas tij, ai ka dëshmi dhe sipas informacioneve 5 pjesëtarë të familjes Shuli nga Pogradeci ndodhen në këtë kamp dhe kërkojnë që të kthehen në Shqipëri.

Koplikaj: Janë dy kampe në Siri që janë në një distancë prej 3 orësh. Në Al-Hol janë pjesa më e madhe e xhihadistëve dhe grave, ndërsa në kampin Rozh janë një pjesë më e vogël e personave që janë në një proces deradikalizimi. Al-Hol është një kamp ferri e vërtetë, sepse nuk ka siguri për jetën. Celulat e ISIS janë aktive në të gjitha hapësirat e kampit. Në kamp aty është shumë e vështirë dhe në kufijtë e mbijetesës. Ka mungesa ushqimesh dhe ilaçesh. Janë rreth 45 mijë persona që kanë mbetur akoma në kamp. Në Al-Hol janë 15 çadra me 50 persona, mes tyre edhe gra e fëmijë të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa në Rozh janë rreth 30 persona, por nuk ka shifra të sakta, sepse kanë ndërruar edhe emrat.

Unë kam dëshmi dhe sipas informacioneve 5 pjesëtarë të familjes Shuli nga Pogradeci ndodhen në këtë kamp dhe madje nga mediat, kam parë që këto vajza kërkojnë që të kthehen, por nuk arrij të kuptoj pse nuk janë koordinuar me autoritetet shqiptare. Kanë shumë persona të tjera që duan të kthehen. Sigurisht që ka një procedurë shumë të vështirë për t'i marrë. Kërkohet shumë kohë dhe negociata, sepse nuk kemi një komunikim direkt me autoritetet kurde. Nëse do të ishte kështu, ata fëmijë dhe njerëz do të ishin kthyer tashmë në Shqipëri. Autoritetet kurde duna të largojnë çdo persona dhe t'i mbyllin këto kampe.

Koplikaj shtoi se kur bëhet një kërkesë zyrtare për persona të caktuar, atëherë autoritetet kurde futen në kamp dhe i kërkojnë këta persona edhe me foto.

Koplikaj: Kur bëhet një kërkesë zyrtare për persona, atëherë autoritetet kurde futen në kamp dhe i kërkojnë këta persona edhe me foto. Në brendësi të kampit ka edhe persona që janë si informatorë të palës kurde. Ky është një fakt që ndihmon në identifikim dhe tërheqjen e personave që janë aty. Duhet pasur parasysh se në AL-Hol komandon ISIS. Prandaj këto gra që kanë qenë pjesë me ISIS janë shumë të dhunshme. Këto gra në qytetet që kontrollonte ISIS patrullonin si polici dhe kontrollonin gratë e tjera nëse kishin hedhur shumë parfum. Unë kam takuar fëmijë dhe gra, të cilat fatmirësisht janë sot në Shqipëri. Kërkesa e tyre ka qenë për rikthim dhe rikthimi i tyre është bërë. Edhe me gra të tjera që kam folur kanë shprehur një dëshirë të fortë për tu rikthyer.