KPA lë në fuqi vendimin e KPK për gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri

Kolegjit i Posaçëm i Apelimit ka lwnw nw fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pwr shkarkimin e nga detyra të gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.61/2019, datë 10.12.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Luan Hasneziri, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 170, datë 26.06.2019.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 170, datë 26.06.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Luan Hasneziri.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 28.07.2021.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, shkarkoi nga detyra, gjyqtarin Hasneziri, i cili u vlerësua për dy nga tre kriteret e vetingut, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Në seancën dëgjimore, gjyqtari u përball me dyshimet mbi blerjen e një apartamenti dhe mosdeklarimin e refuzimit të një vize amerikane. Vetë  subjekti asokohe deklaroi gjatë seancës se KPK ‘po kapej pas preteksteve’ dhe mori si shembull ish-Presidentin e SHBA-së, Abraham Lincoln.

Hasneziri pati kërkuar në një seancë të mëparshme përjashtimin e kësaj trupe, duke e cilësuar atë të njëanshme për shkak se kishte mbyllur hetimet vetëm për dy kritere. Një tjetër trup gjykues vendosi të rrëzonte kërkesën.