“Turizmi sektori më i goditur nga pandemia”/ Civici: Tani topi është në fushën tonë, por...
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, eksperti i ekonomisë Adrian Civivi, është shprehur se turizmi ishte një nga sektorët më të goditur nga pandemia e Covid-19.
Por pavarësisht kësaj, këtë vit ka një zhvillim të turizmit të brendshëm teksa shton se ka prenotime nga turistët nga Kosova, Serbia po edhe Polonia e Çekia.
Më tej ai thotë se “topi është në fushën tonë”, por mbetet të shohim sa janë përgatitur autoritetet përkatëse për të pritur turistët.
“Turizmi është një nga sektorët më të prekur. Por në vitin 2017 dhe në vitin 2019, turizmi ishte një nga sektorët më dinamik, që ndikoi në rritjen e ekonomisë shqiptare. Por këtë vit, sektori që u godit më shumë nga pandemia ishte turizmi. Lehtësimi i masave dhe i kushteve të lëvizjes jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet përreth, si Maqedonia e Veriut, Kosova, që kanë qenë rezervuari kryesor i mbështetjes, të sektorit turistik shqiptar ka bërë të mundur që megjithëse akoma nuk është në kapacitet të plotë, shpresa është që muaji gusht të jetë akoma më intensiv përsa i përket sezonit turistik.
Turizmi ishte sektori i parë që reagoi më shpejt dhe efektet pozitive duken. Jo vetëm që ka një zhvillim këtë vit edhe të turizmit të brendshëm, por njëkohësisht një kontigjent që vjen nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Janë shtuar shumë kërkesat dhe prenotimet nga Serbia dhe nga turistët polakë, turistët çekë.
Janë shtuar prenotimet dhe kërkesat, kjo tregon që topi është nën anën tonë, tani mbetet të shohim nëse sektori turistik në kushtet e vështira që ka kaluar, a është përgatitur me ato nivele që duhet për të bërë një pritje cilësore në nivelet e duhura. Mendoj se nuk mund të pritet ai lloj fluksi që mund të ishte në kushtet normale, por gjithsesi ka disa shenja pozitive që sektori turistik këtë vit do të jetë në kushte shumë normale se një vit më parë. “

