“Universitetet, çerdhe e kopjimit”, kërkohet e drejta e mohuar e autorëve shqiptarë
E drejta e autorit ndonëse e mbrojtur me ligj vijon të mos jetë e garantuar për autorët shqiptar.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ngriti shqetësimin mbi vjedhjen që iu bëhet krijimtarive të shumë shkrimtarëve nga mungesa e një rregullatori në treg.
"Mendoj se të gjithë bashkë duhet të bashkëpunojmë si botues dhe si autorë për të shmangur piraterinë e librave."
Krahas shitësve ambulantë dhe faqeve që operojnë ilegalisht online në shitjen e librave, ajo që konsiderohet më shqetësuese është orientimi që vet pedagogët në universitete iu japin studentëve në fotokopjimin e librave.
"Shkon në fakultete dhe përpara syve ke librat e fotokopjuara dhe askush nuk do t'ia dijë.''
I pranishëm në tryezën ku po shigjetohej institucioni që ai drejton, kreu i Pronësisë Intelektuale, Neritan Frashëri, u shpreh se sofistikimi i vjedhjeve të materialeve thuajse pamundëson identifikimin e tyre.
''Nuk fotokopjojnë më librin në vetvete, janë sofistikuar shumë, duke e bërë në mënyrë elektronike, prandaj është thuajse e pamundur që të kapen nga inspektorët.''
Autorë të ndryshëm që ndanë eksperiencat e tyre ku iu është mohuar e drejta e autorit, këshilluan lexuesit që të tregohen të kujdesshëm kur blejnë libra, duke udhëzuar të kontrollojnë faqen e katërt të çdo libri ku dhe afishohet certifikimi nga shtëpia botuese.
