Ambasada shqiptare kërkon ristrukturimin e sheshit "Albania" në Romë
Ambasada shqiptare në Romë ka nisur punën institucionale për hartimin e një projekti që synon të rivlerësojë e të ristrukturojë Sheshin "Shqipëria" në Romë, ku është pozicionuar monumenti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ambasadorja znj. Anila Bitri ka zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësues të shoqatave italiane e shqiptare për përgatitjen e një projekti konkret që do të realizojë rikualifikimin urban të këtij sheshi kaq simbolik për komunitetin shqiptar e arbëresh në Itali.
Ambasadorja Bitri u takua me arkitektin Ledo Prato, Sekretar i përgjithshëm i shoqatës "Mecenate '90", me Presidentin e shoqatës romane "Amici di Aventino", Alessandro Olivieri e zëvendësin e tij Enrico Barbieri, si dhe me Presidenten e Shoqatës "Integra Onlus", znj Klodiana Cuka e cila prej vitesh me vullnetarët e kësaj shoqate kujdesen për mirëmbajtjen e gjelbërimin e Sheshit "Shqipëria" në Romë.
Kjo nismë e autoriteteve shqiptare në Romë hodhi bazat e para institucionale për promovimin e restyling e kësaj hapësire urbane, e cila është dëshmi e lidhjes historike mes Italisë e Shqipërisë e simbolizuar me monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe.
Monumenti "Skëndërbeu" në Romë e sheshi "Albania"
Qe 27 tetori i vitit 1940 kur Benito Musolini në praninë e autoriteteve më të larta zyrtare të qytetit inauguroi në Romë Monumentin e Skënderbeut.
Mediet e kohës e komentojnë si një ditë vjeshte e shiu të fortë. Monumenti u vendos në atë që dikur quhej Sheshi "Raudusculana", emri i një porte antike të mureve Serviane.
Pak muaj më parë në 4 korrik të 1940, për të kujtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria Italiane (më 16 prill 1939) vendosi që ky shesh të ndryshoi emër, dhe u quajt Sheshi "Albania".
Gjendet në zemrën e Romës antike mes lagjes San Saba e Aventinos, një nga shtatë kodrat ku sipas legjendës u themelua qyteti i Romës. Monumenti i Skënderbeut u realizua nga skulptori fiorentin Romano Romanelli.
Lindur më 14 maj të vitit 1882 në Firence, ky artist, mik i poetit Gabriele D'Annunzio, rridhte nga një familje skulptorësh. Njëkohësisht ai ishte dhe një funksionar i lartë i Marinës Italiane.
Aftësitë e tij artistike por dhe lidhjet me shtresën e lartë të politikës italiane të asaj kohe, i ngarkuan detyrën e realizmit të monumentit të heroit Kombëtar të Shqipërisë, në kryeqytetin italian Romë, në sheshin me emrin e vendit fqinj dhe në një moment kaq të veçantë e historik për dy vendet.
Monumenti i Skënderbeut është realizuar mbi një grup bronzi i rëndë 35 kuintalë e paraqet heroin tonë kombëtar mbi kalin e tij të pandashëm, veshur nën armaturën e hekurt, me përkrenaren e shpatën gati për luftim.
Guvernatorit të Romës (funksionari më i lartë administrativ i qytetit në epokën e fashizmit) iu kërkua që brenda pak kohe të siguronte bazamentin mbështetës të veprës së Romanellit, tashmë i përfunduar e gati për inaugurim. Brenda 26 ditësh u sigurua piedestali i gurtë, i tipit travertino që peshonte rreth 75 kuintalë.
Së bashku formojnë monumentin e Skënderbeut në Sheshin "Albania" ku më vitin 1968 me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe, Komuna e Romës vendosi pllakën përkujtimore.


