Muzikal me tri zhanre, aktorët “Junior” sfidojnë veten në Fushë-Krujë
Talentet e reja në zonën e Fushë-Krujës kanë sjellë në skenë "E bukura dhe bisha”, si një Muzikal që përfshin tri zhanre kryesore: aktrim, këndim dhe kërcim.
Me regjinë e Selidona Zallës u vendos në skenë filmi vizatimor, pjesë teatrale për të cilën fëmijët punuan intensivisht për 1 muaj e gjysmë.
Të entuziazmuar nga emocionet e skenës, aktorët e vegjël apelojnë që të tilla aktivitete të organizohen më shpesh.
"Jemi ndjerë shumë mirë që morëm pjesë në një festival të tillë, punuam shumë fort për të arritur këtu. Do bëhen shumë të tjerë dhe shumë më të bukur."
"Dua të tregoj që në këtë projekt unë jam ndjerë shumë mirë dhe shpresoj që të bëjmë të tilla projekte sa më shpejt. Unë dua që fëmijët të shtohen në rrugën e artit dhe jo të hiqen."
Organizatorët e këtij muzikali u shprehën se ishte e vështirë të sillje në Shqipëri një projekt të tillë, por sipas tyre ia vlejti.
"Është një festival i parë që ka të bëjë me tri zhanre; kërcim, aktrim dhe këndim. Është festivali i parë i zhvilluar në Shqipëri sepse është një kombinim shumë i vështirë, por jo i parealizueshëm dhe ne si qendër kulturore vendosëm ta sjellim në këtë qytet."
"Ishte një sfidë e madhe, është diçka që nuk bëhet shumë lehtë sepse kërkon një dimension të madh nga ana artistike, përgatitore. Por them me bindje dhe mendoj që ja kemi dalë."
Së fundmi pas shumë numrave përshëndetës artistësh me zhanre të ndryshme u zgjodhën më të mirët nga të dyja gjinitë si në aktrim dhe këndim, dhe po ashtu u dhanë dhe certifikata për fëmijët e vegjël të cilët vetë regjisorja i titulloi si aktorë junior.
