Aleati i ish-presidentit Trump nën arrest për lobim të paligjshëm
Thomas Barrack, një mik miliarder i ish-presidentit Donald Trump, i cili mbikqyri fondin për inaugurimin e tij, është arrestuar nën akuza që përfshijnë lobim të paligjshëm të huaj dhe pengim të drejtësisë, tha të martën Departamenti amerikan i Drejtësisë.
CNBC, shkruan se Barrack akuzohet për mbrojtje të paligjshme të interesave të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu pretendohet të ketë gënjyer agjentët e FBI-së gjatë një interviste në lidhje me marrëdhëniet e tij me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Barrack, 74, është një aleat i vjetër i zotit Trump dhe themelues i firmës së madhe të investimeve Colony Capital.
“Provat kundër Barrack përfshijnë mijëra email, mesazhe me tekst, të dhëna iCloud, rekorde fluturimesh dhe të dhëna në media sociale” thanë prokurorët.
Barrack dha dorëheqjen si shefi ekzekutiv i kompanisë Colony Capital në vitin 2020. Në prill, ai dha dorëheqjen si kryetar ekzekutiv i firmës.

