Franca në alarm nga Covid, qarkullimi i virusit u rrit me 150% brenda një jave

Franca regjistroi 18 mijë raste të reja pozitive me Covid 19 në 24 orët e fundit nga më pak se 7 mijë që ishin një javë më parë.

Lajmin e njoftoi Ministri francez i Shëndetësisë Olivier Veran. Rritjen e pashembullt të rasteve ai ia faturoi variantit të ri Delta.

"Sapo jam njohur me numrin e infeksioneve të 24 orëve të fundit në vendin tonë. Kemi 18,000 raste të reja pozitive. Kjo do të thotë që kemi pasur një rritje prej 150% të qarkullimit të virusit gjatë një jave: këtë nuk e kemi parë kurrë më parë, as me Covid (lloji historik i virusit), as me variantin anglez, as me atë të Afrikës së Jugut dhe as me atë brazilian ”, tha ai.

Një nivel i tillë i rasteve pozitive nuk është vërejtur që nga mesi i majit.

"Ne kemi një armë, vaksinën," shtoi ai.

"Kjo nuk është koha për dyshim, kjo është koha për imunitet kolektiv. Për përgjegjësinë kolektive dhe kjo është mënyra e vetme që kemi për të hequr qafe Covidin një herë e përgjithmonë ".