Hakërimi i Microsoft, Kina mohon akuzat: trillime të paarsyeshme kundër Kinës
Kina nuk i ka pranuar akuzat për hakërim të gjigantit të teknologjisë, Microsoft. Ajo i cilëson akuzat si trillime të shteteve të bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj.
Një ditë pas akuzave për sulm të madh kibernetik kundër gjigantit të teknologjisë Microsoft, Kina ka mohuar zyrtarisht akuzat për hakimin e Microsoft Exchange - një platformë e famshme e-mail e përdorur nga kompanitë në të gjithë botën.
Perëndimi e vlerëson sulmin si pjesë e një modeli më të gjerë të sjelljes së ''pamatur" që kërcënon sigurinë globale.
Nga ana tjetër Kina thotë se kundërshton të gjitha format e krimit kibernetik dhe i ka quajtur pretendimet "të trilluara".
"SH.B.A. ka mbledhur aleatët për të kryer kritika të paarsyeshme kundër Kinës mbi çështjen e sigurisë kibernetike," u tha gazetarëve zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Zhao Lijian.
Mbretëria e Bashkuar, BE, Zelanda e Re dhe Australia ishin mes atyre që u bashkuan me SH.B.A. në akuzat se kina ka sponsorizuar "veprimtari të dëmshme kibernetike", duke përfshirë hakërimin e Microsoft.
Vetë gjiganti teknologjik ka fajësuar një grup kinez të spiunazhit kibernetik për shfrytëzimin e një dobësie në Microsoft Exchange - i cili lejoi hakerat të aksesonin në distancë kutitë e postës elektronike.
Qendra e Inteligjencës për Kërcënimet e Microsoft zbuloi se Grupi, i njohur si ''Hafnium'' sponsorizohej nga Kina, por operon jashtë saj.
