S’veshën bikini gjatë ndeshjes, gjobitet me 1500 euro kombëtarja e Norvegjisë
Kombëtarja norvegjeze e Hendbollit në rërë është gjobitur me 1500 euro, pasi lojtaret e saj ishin më të mbuluara seç duhet. Në reagimin zyrtar të Federatës Evropiane të Hendbollit thuhet se lojtaret norvegjeze ishin të veshura me tuta të shkurtra dhe jo funde, apo bikini sipas rregullores.
Norvegjia është gjobitur me 1,500 euro për veshjen e tutave të shkurtra në vend të fundeve apo bikinit në Kampionatin Evropian të Hendbollit në Plazh.
Në deklaratën zyrtare të Federatës Evropiane e Hendbollit thuhet se komisioni disiplinor ka vendosur një gjobë prej "150 euro për lojtar, për një total prej 1,500 euro".
Si shkelje theksohet se Norvegjia ka luajtur me tuta të shkurtra që "nuk janë në përputhje me rregullat e uniformave të atletëve të përcaktuara në rregullat e lojës së hendbollit në rërë.
Nga ana tjetër Federata e Hendbollit e Norvegjisë tashmë kishte deklaruar se nëse ndaj lojtareve të tyre do të merrej masë, ajo do ta paguante gjobën.
Kreu i saj, Geir Lio, deklaroi për AFP se: Duhet një zgjedhje e brenda një kornize të standardizuar. Gjëja më e rëndësishme është të kesh pajisje me të cilat atletët janë të kënaqur".
Para Kampionatit, Norvegjia kërkoi leje për të luajtur me tuta të shkurtra, por iu tha se shkeljet e rregullave dënoheshin me gjoba.
Një lëvizje norvegjeze për të ndryshuar rregullat aktuale do të diskutohet në muajt e ardhshëm.

