Italia 'paguan' festën si Kampione Europe, dyfishohen rastet me Covid në Romë por situata në kontroll
Mbi 2000 raste të tjera të Koronavirus në pak më shumë se një javë janë regjistruar në Romë. Kurba e infektimit nga 2078 raste pozitive që ishte me 11 korrik ka arritur në 4140 raste këtë të martë, 20 korrik. Gjithçka brenda harkut kohor të 9 ditëve.
Është efekti i festimeve për shpalljen kampionë të Europës ose siç e përcaktoi këshilltari Rajonal për Shëndetin në rajonin e Lazios, Alessio D'Amato "Efekti Gravina".
"Ne po paguajmë për të ashtuquajturin "efekti Gravina"por pa komplikime në spitale. Rastet janë ende të destinuara të rriten për shkak të efektit të rënies së tensionit gjatë festimeve për Europianin, i cili do të zgjasë edhe disa ditë - tha ai.
"Të infektuarit janë kryesisht të rinj ende të pavaksinuar dhe kjo do të thotë, edhe një herë, sa e rëndësishme është të vaksinohen dhe të arrihet imuniteti i tufës. Situata është nën kontroll dhe në Lazio rastet pozitive aktualisht janë gjysma e rajoneve të tjera të mëdha, kështu që mos alarmoni dhe vaksinohuni. Edhe një herë, barra dhe efektet e rënies së tensionit bien mbi supet e SRG-së dhe operatorëve të saj" shtoi D'Amato.
Rastet u dyfishuan në Lazio
Rritja e numrave në Romë dhe Lazio mendohet se është shkak edhe i mbrëmjeve në plazh dhe klubet e hapura.
Varianti Delta
Varianti Delta është përhapur gjithashtu në të gjithë Italinë që nga 15 korriku. Me dy të tretat e rasteve të përqendruara në zonën metropolitane të Romës, ekziston frika për një valë të re të pandemisë. 66% e rasteve me variantin Delta janë nën moshën 30 vjeç dhe mosha mesatare e të infektuarve është 29 vjeç. 76.5% e rasteve me variantin Delta janë të pavaksinuara dhe nëse marrim parasysh edhe ato të vaksinuara me një dozë të vetme, përqindja tejkalon 90%.
Pushimet jashtë vendit
Ndikim në rritjen e rasteve mendohet se kanë edhe kampet verore të organizuara për fëmijët sikundër dhe pushimet e të rinjve italianë jashtë vendit.
Ndaj thirrja e D'Amato ishte: "Vaksinohuni tani, do t'ju lejojë të rifilloni në mënyrë të sigurt vitin shkollor. Vaksina është "autostrada".
Ftesën ai ua drejtoi posaçërisht grupmoshës 12-16 vjeç dhe familjeve të tyre: "Ata që nuk e kanë bërë ende duhet të vaksinohen. Kjo është mënyra e vetme për të kufizuar ndërlikimet e sëmundjes, duke favorizuar zvogëlimin e qarkullimit të virusit".

