Bajrami në Agfanistan/ Raketat shpërthejnë njëra pas tjetrës, besimtarët myslimanë nuk e ndalin faljen (VIDEO)

Falje nën shpërthimin e raketave. I tillë ishte mëngjesi i faljes së namazit në Afganistan për festën e Kurban Bajramit.

Pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë figurat kryesore politike afgane, përfshirë Presidentin Ashraf Ghani duke u lutur dhe reaguar ndaj shpërthimeve të raketave të cilat dëgjohen gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë nga media shtetërore në Kabul.

Të paktën tri raketa ranë në qendër të Kabulit, pak para se presidenti afgan, Ashraf Ghani, të mbante një fjalim për faljen e festës së Kurban Bajramit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Mirwais Stanikzai, tha se raketat ranë derisa besimtarët faleshin jashtë Zonës së Gjelbër, ku ndodhet Pallati Presidencial.

Një makinë e parkuar pranë zonës është shkatërruar plotësisht, ndërsa policia tha se ajo ishte përdorur si objektiv për lëshimin e raketave.

Breshëria erdhi ndërsa SHBA dhe NATO përfunduan tërheqjen e tyre nga Afganistani edhe pse shumë vendas afganë janë të shqetësuar nëse vendi i shkatërruar nga lufta do të bjerë më thellë në kaos dhe dhunë ndërsa forcat e huaja tërhiqen dhe talebanët fitojnë më shumë territor.

Zyrtarët bënë të ditur se nga bombardimi nuk ka të plagosur ndërkohë që përgjegjësinë për sulmin ende nuk e ka marrë asnjë grup.

Disa minuta pas, Ghani mbajti fjalimin, duke thënë se talebanët nuk kanë “asnjë qëllim dhe vullnet për paqe”.