Po falnin namazin e Kurban Bajramit, 3 raketa bien afër Pallatit Presidencial në Afganistan

Të paktën tri raketa ranë në qendër të Kabulit, pak para se presidenti afgan, Ashraf Ghani, të mbante një fjalim për faljen e festës së Kurban Bajramit.

zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Mirwais Stanikzai, tha se raketat ranë derisa besimtarët faleshin jashtë Zonës së Gjelbër, ku ndodhet Pallati Presidencial.

Një makinë e parkuar pranë zonës është shkatërruar plotësisht; ndërsa policia tha se ajo ishte përdorur si objektiv për lëshimin e raketave.

Breshëria erdhi ndërsa SHBA dhe NATO përfunduan tërheqjen e tyre nga Afganistani edhe pse shumë vendas afganë janë të shqetësuar nëse vendi i shkatërruar nga lufta do të bjerë më thellë në kaos dhe dhunë ndërsa forcat e huaja tërhiqen dhe talebanët fitojnë më shumë territor.

"Ky Bajram është emëruar pas forcave Afgane për të nderuar sakrificat dhe guximin e tyre, veçanërisht në tre muajt e fundit," tha Ghani në fjalimin e tij drejtuar kombit pas lutjeve në mëngjes për Kurban Bajramin.

Zyrtarët bënë të ditur se nga bombardimi nuk ka të plagosur ndërkohë që përgjegjësinë për sulmin ende nuk e ka marrë asnjë grup.

Disa minuta pas, Ghani mbajti fjalimin, duke thënë se talebanët nuk kanë “asnjë qëllim dhe vullnet për paqe”.

Talebanët kanë intensifikuar luftimet kundër forcave qeveritare afgane, prejse trupat e huaja kanë nisur tërheqjen zyrtare nga Afganistani, më 1 maj.

Ata kanë deklaruar se luftëtarët e tyre kanë marrë nën kontroll 85% të territorit afgan ndërkohë që kjo shifër kontestohet nga Qeveria dhe është e pamundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.