Moti i keq ‘pushton’ Kinën, humbin jetën 14 persona, evakuohen mijëra persona
Moti i keq, përveç Evropës, ka përfshirë edhe Kinën. Mediat vendase, bëjnë me dije se për shkak tëpërmbytjeve, të paktën 14 persona deri më tani, kanë humbur jetën.
Siç raportohet, për shkak të situatës së krijuar, mijëra njerëz, janë detyruar që të evakuohen.
Niveli i ujit në lumenj dhe liqene, është mbi nivel, ndërsa rrezikon të përmbytë fabrikat që prodhojnë pajisje mbrojtëse për COVID-19.
Mediat shkruajnë se nëse ndodh një gjë e tillë, mungesa e pajisjeve mbrojtëse do të ndjehet në mbarë botën.
“Përmbytjet po ndodhin në të njëjtën kohë në brigjet e lumit Yangtze pranë Nanjing-ut, buzë lumit Huai dhe liqenit Tai … Situata paraqitet shumë e rëndë,” tha ministria e burimeve ujit.
Lumi Huai, 1.100 km i gjatë, kalon nëpër krahinat Henan, Anhui dhe Jiangsu dhe disa qytete të mëdha të vendit, duke përfshirë Fuyang, Xinyang dhe Huainan.
Zyrtarët thanë se niveli i ujit në 10 rezervuarë që marrin ujë nga lumi Huai u rrit deri në 6.85 metra.

