DEA dhe policia kolumbiane arrestojnë bosin shqiptar të kokainës, trafikohej me avionë charter

Një shtetas shqiptar dhe katër kolumbianë u arrestuan në një operacion të përbashkët të policisë kolumbiane dhe agjencisë së antidrogës amerikane DEA. Agim Çerma i njohur edhe me nofkën 'Xhimi', dyshohet se mblidhte paratë e krerëve të organizatës për ti përdorur për blerjen e kokainës në vendet ku ajo prodhohej. Lënda narkotike trafikohej me pas me avionë charter. Gjatë hetimit të grupit policia ka sekuestruar mbi 330 kilogramë kokainë.

Agjencia Amerikane e Antidrogës DEA dhe policia kolumbiane kanë goditur një rrjet të trafikimit ndërkombëtar të drogës duke vënë në pranga edhe një shtetas shqiptar.

Sipas deklaratës së policisë kolumbiane, Agim Çerma, i njohur edhe me pseudonimin 'Xhimi' ka rënë në pranga bashkë me katër anëtarë të bandës.

Policia kolumbiane tha se arrestimet u kryen me qëllim ekstradimin e të akuzuarve në SHBA ku do të përballen me akuzat e ngritura ndaj tyre.

Policia dyshon se shqiptari Agim Çerma ishte ndërmjetësi mes krerëve të rrjetit që financonin aktivitetin kriminal dhe blerjes së kokainës në zonat ku ajo prodhohej me qëllim për të garantuar transportimin e saj me fluturimet Charter përmes aeroportit 'Alfonso Bonilla Aragón de Palmira' (Valle del Cauca).

Hetuesit vendas dhe ata amerikanë dyshojnë se paratë kanë hyrë në Kolumbi përmes ndërmjetësve financiarë.

Shqiptari, Agim Çerma, dhe bashkëpunëtorët e tij kishin një grup të cilësuar me ‘Clan del Golfo’ në rajonin e Urabá dhe bashkëpunonin me grupe të tjera në zonë për të blerë lëndën narkotike me qëllim grumbullimin e sasive të mëdha të kokainës që trafikoheshin më pas sipas interesave të organizatës kriminale.

Mes të arrestuarve është edhe William Cruz Pérez, i konsideruar si njeriu i besuar i shqiptarit dhe personi i ngarkuar për koordinimin e blerjes dhe magazinimit të kokainës, dhe dorëzimin e parave, Pedro Antonio Penagos Londoño, që dyshohet se është përgjegjës për mbledhjen e drogës në ndërtesat pranë aeroportit 'Alfonso Bonilla Aragón' si dhe Jairo Fernando Cardona López, i akuzuar për kontakte me kontrollorët ajrorë dhe personelin e sigurisë nga terminali ajror për të lejuar hyrjen dhe daljen e kartave.

I arrestuari i katërt Edvvin Durlandy Montilla González, i quajtur edhe 'Kimisti', dyshohet se merrej me përpunimin e kokainës në laboratorët që zotëronte grupi kriminal.

Gjatë hetimeve për këtë rast policia ka thënë se u sekuestruan më shumë se 333 kilogramë kokainë dhe mbi 2,000 milion pesos, monedha vendase në Kolumbi.