E rëndë në Itali, shqiptari vritet me thikë në mes të rrugës nga fqinji i tij
Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali këtë të shtunë, 17 korrik. Mediet përtej Adriatikut shkruajnë se një shqiptar është vrarë me thikë nga fqinji i tij, pas disa mosmarrëveshjesh që kishin pasur kohët e fundit.
Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë. Të dy ishin fqinjë dhe kishin pasur debate të vazhdueshme me njëri-tjetrin.
Mësohet se 57-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije ka ndërruar jetë në spital, pasi s’ka mundur t’i bëjë ballë plagëve të marra. Autori është identifikuar si një 63-vjeçar italian.
Ishin këmbësorët ata që lajmëruan ambulancën dhe policinë.
Autori u tha policëve se ai e vrau shqiptarin për t’u vetëmbrojtur, por versioni i tij mbetet për t’u verifikuar pasi tani ai ndodhet në paraburgim. Ndërkohë mbetet ende i paqartë fakti se pse autori ishte i armatosur, shkruan La Repubblica.
