Basha shtrin dorën për bashkëpunim, Bogdani: Nëse PD-ja është e bashkuar, është e fortë
Partia Demokratike ka mbledhur ditën e sotme Kuvendin Kombëtar të saj për të riformatuar edhe një herë anëtarët e këshillit të saj.
Anëtari i PD-së, Gert Bogdani i ftuar në studion e RTV Ora foli për ndryshimet e reja të miratuara d Bogdani tha se ka një zgjerim të kryesisë brenda partisë dhe një risi e re është krijimi i këshillave politikë drejtues për qarqet e ndryshme.
Bogdani: "Ka një zgjerim të kryesisë së PD-së me disa anëtarë të rinj që bëhen pjesë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ka një zgjerim ose heqje limiti të sekretarëve funksionalë dhe kjo shtrihet jo vetëm në nivel qendror por dhe në nivel dege. Ka dhe një risi që është krijimi i këshillave politikë drejtues për qarqet e ndryshme. Ka disa gjëra që besoj se do bëjnë që PD-ja të funksionojë më mirë në terren në të ardhmen."
Përballë 5703 delegatëve që votojnë drejtuesit e rinj të selisë blu Basha u shtriu dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve brenda selisë blu.
Përsa i përket fjalës së zotit Basha, Bogdani tha se nëse PD-ja është e bashkuar është e fortë dhe mesazhi i zotit Basha ishte shumë i rëndësishëm.
Bogdani: "Prurjet e reja duhen, nuk mund të them që mungojnë por mund të kishte shumë më shumë. PD-ja është në një fazë që duhet të hapë dyert për prurje të reja dhe energji të reja. Shtrirja e dorës është shumë e rëndësishme. PD-ja sot duhet të jetë e bashkuar dhe detyra kryesore për të arritur këtë qëllim është e kryetarit të saj. Nëse PD-ja është e bashkuar, është e fortë. Ky është një vendim i dyanshëm, nëse njëra palë shtrin dorën, duhet të jetë dhe pala tjetër që ta kapë. Nëse pala tjetër nuk bashkëpunon, kjo nuk do ishte në dëm të PD-së, por të Shqipërisë dhe shqiptarëve."
Intervistoi Kostana Morava, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
