KPK konfirmon në detyrë prokurorin Isa Jata, nuk ju gjetën probleme me pasurinë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin Isa Jata pas vlerësimit se e kalon vettingun në tri kritere.
"Trupi gjykues vendosi konfirmimin në detyrë të zotit Isa Jata."
Të enjten në një seancë tjetër KPK dëgjoi shpjegimet e prokurorit të Shkodrës, Arben Smaçi të cilit i kaloi barrën e provës në kriterin e pasurisë.
Në analizën e kryer nga Komisioni mbi pasurinë e prokurorit Smaçi u evidentua blerja e një apartamenti në Tiranë në vitin 2015 nga një ndër ortakët e shoqërisë ndërtuese për 50 mijë euro. KPK evidentoi se vlera reale referuar tregut në kohë kur është blerë objekti është 90 mijë euro.
Dyshimet e trupës gjykuese për deklarim të rremë morën përgjigjen e prokurorit se nuk ishte në dijeni të vlerës së pronës dhe se personi që ja kishte shitur kishte nevojë për para, gjë të cilën sipas tij e konfirmon shlyerja e shumës njëherësh.
Bilancin negativ të shpenzimeve përgjatë disa viteve prokurori e justifikoi me faktin se krahas pagesës vëllai që ndodhej në Angli i ka dërguar shuma monetare por nuk paraqiti dokumente që provonin ligjshmërinë e të ardhurave.
Në qëndrimin përfundimtar prokurori i Shkodrës kërkoi nga KPK riçeljen e hetimeve mbi kriterin e pasurisë në bazë të provave të reja dhe konfirmimin në detyrë ndërkohë që vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 21 korrik.
