Qeveria “shpëton” Durrësin nga plehrat, merret vendimi: Mbështetje financiare për menaxhimin e mbetjeve

Për të dytin vit radhazi Durrësi u zhyt në krizë mbetjesh në mes të sezonit turistik.

Në vështirësi të gjetjes së një zgjidhje nga bashkia, qeveria ka ndërhyrë sërish për të shpëtuar qytetin bregdetar nga plehrat.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria  do të mbështesë financiarisht të gjitha bashkitë e Durrësit ndërsa këto të fundit duhet të marrin masa të menjëhershme për të gjetur zgjidhje për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane.

Në vendimin e marrë të enjten, 15 korrik, thuhet se “nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkive ato i drejtohen ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara”.

Partia Demokratike akuzon qeverinë se përmes këtij vendimi synon të furnizojë me para mafien e inceneratorëve dhe Landfillin e Sharrës.

"Ne i bëjmë thirrje SPAK të veprojë sepse aty janë provat, aty është katastrofa mjedisore dhe aty është rrezikuar shëndeti i qytetarëve vetëm për të pasuruar klientët e pushtetit," tha Zhupa.

Por teksa Durrësi duket se do të ketë një zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve, Kavaja e Golemi vijojnë të mbesin mes plehrave.