Shpërthimi i bombolës në Velipojë, ndërron jetë në Itali 19-vjeçarja, 3 familjarët e tjerë në gjendje të rëndë
Daniela Gjoka nuk mundi t`i përballonte plagët e marra si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit mëngjesin e katër korrikut në hotelin e familjes në Velipojë.
19-vjeçarja ndërroi jetë këtë të diel në Itali ku u dërgua 5 ditë më parë për mjekim të specializuar.
Nën kujdesin e mjekëve italianë vijojnë të ndodhen edhe e nëna e viktimës, Alketa Gjoka, së bashku me dy fëmijët e mitur 15 dhe 12 vjeç.
Mësohet se jeta e tyre ndodhet ende në rrezik.
Fillimisht 4 anëtarët e familjes Gjoka iu nënshtruan mjekimit në Tiranë, por për shkak të plagëve të rënda u dërguan me shpenzimet private në Itali.
Ngjarja e rëndë ndodhi një javë më parë teksa nëna me tre fëmijë ishte duke pastruar hotelin në Velipojë.
Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i rrjedhjes së gazit e më pas shpërthimit ishte një gabim njerëzor pasi dyshohet se një nga anëtarët e familjes kishte harruar bombolën hapur gjatë natës.
Për ngjarjen është arrestuar tregtari bombolave të gazit.
Sipas policisë është konstatuar se gazi që përdorej në hotel, tregtohej në kundërshtim me ligjin nga 46-vjeçari, të cilit një ditë pas ngjarjes iu bllokua aktiviteti nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial.

