Aksidenti në Gramsh me 1 të vdekur e 9 të plagosur, prangoset shoferi i autobuzit

Policia e Elbasanit ka arrestuar shoferin e autobuzit ku ditën e djeshme automjeti doli nga rruga dhe përfundoi në greminë, duke vrarë një person dhe plagosur 9 të tjerë.

Ngjarja ndodhi në fshatin Bregas të Gramshit ku udhëtonin edhe 15 pasagjerë në autobuz.

Mjeti doli nga rruga dhe ra  nga lartësia ku pësoi dëmtime të mëdha dhe nxjerrja e të lënduarve është bërë me ndërhyrjen e efektivëve të policisë dhe zjarrfikëseve.

''Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme ku në aksin rrugor Elbasan-Kërpicë, në fshatin Bregas, mjeti minibuz me drejtues shtetasin A.Xh., 47 vjeç, ka dalë nga rruga dhe për pasojë humbi jetën shtetasi L.L., dhe u plagosë drejtuesi i mjetit dhe 9  pasagjerët shtetasit  , E.S., 25 vjeçe , O.B., 29 vjeçe, S.R., 75 vjeç, B.G., 59 vjeçe , N.R., 61 vjeçe, A.P., 60 vjeç, E.P., 55 vjeçe , J.Ç., 18 vjeçe dhe V.L., 26 vjeç, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan,  arrestuan në flagrancë shtetasin: A.Xh., 47 vjeç, banues në fshatin Kodovjat, Gramsh.'' - njofton policia.

Matrialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan,  për veprime të mëtejshme procedurale.