Operuan 17-vjeçarin e plagosur në masakrën e Velipojës, mjekët paralajmërojnë protestë te Trauma
Sindikata e punonjësve të shërbimit shëndetësor kanë paralajmëruar një protestë lidhur me prangosjen e 2 mjekëve që dyshohet se morën ryshfet për të operuar një 17-vjeçar të plagosur në masakrën e Velipojës.
Përmes një postimin në Facebook, kjo sindikatë bën me dije se tubimi do të mbahet në orën 9-19 në sheshin para spitalit të Traumës.
Ata e cilësojnë si burgosje abuzive dhe në kundërshtim me ligjin të dy kolegeve tanë mjekë të këtij spitali.
''Nesër, në orën 09-10 të mbështetur nga sindikata e punonjësve të shërbimit shëndetësor, personeli i spitalit ushtarak tirane, pjese e sindikatës tonë, do të organizojë një tubim ne sheshin qendror te këtij spitali, me qëllim reagimin ndaj burgosjes abuzive dhe ne kundërshtim me ligjin te dy kolegeve tanë mjeke te këtij spitali. Bashkohuni me ne! Ejani në tubim! Ti themi ndal abuzimit me burgosjen për show te punonjësve shëndetësor! Koha është tani! Te gjithë bashke për te drejtat tona ne pune!''
Gjykata e Shkodrës vendosi të lërë në burg dy mjekët e spitalit të Traumës në Tiranë, Ervin Sulaj dhe Serdi Memini të akuzuar se morën para për trajtimin e 17 vjeçarit Elmidin Dyli, i mbetur të plagosur në përplasjen me armë në Velipojë, ku katër persona humbën jetën.
Në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë u zbulua se në pranga është vënë edhe infermierja nga Shkodra, Diellë Macaj e cila po ashtu mbeti në qeli.
Sipas dosjes hetimore, kjo e fundit është përgjuar në një bisedë telefonike me nënën e 17-vjeçarit, duke i thënë se do t’i çojnë dhuratë 500 mijë lekë të vjetra doktorit, por pa përmendur emrin se cilit prej tyre.
Kaq ka mjaftuar që policia e kishte familjen Dyli nën përgjim për përplasjen me armë, të kërkojë arrestimin e dy mjekëve të Traumës dhe infermieren e Shkodrës për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
