“Harrohet” vetting-u i policisë, që nga muaji Maj nuk është zhvilluar asnjë seancë, vetëm 5 nga 12 drejtues kanë kaluar filtrin
Procesi i vettingut në radhët e policisë së shtetit ka mbetur në vendnumëro dhe treguesi kryesor për këtë është fakti se që prej datës 17 maj të këtij viti nuk është zhvilluar asnjë seancë.
Funksionari i fundit që doli para komisionit ishte Luigj Vathi, i cili në atë periudhë mbante detyrën e drejtorit të kufirit dhe emigracionit në Vlorë. Vathi pas hetimeve në 3 kriteret doli i suksesshëm duke vazhduar punën.
Ora News u interesua pranë këtij institucioni por pavarësisht së prej 2 muajsh ende nuk është zhvilluar asnjë seancë zyrtarët shprehen se puna vijon normalisht.
Procesi i vettingut u pezullua pasi u vendos që fillimisht në sitë të kalojnë drejtuesit e Shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat dhe më pas të jetë kjo struktura e cila do të zhvilloje vettingun për gradat më të ulëta.
Procesi i vettingut në Polici nisi rreth 2 vite më parë. Që prej atëherë, në filtër janë futur rreth 40 drejtues të lartë.
Në 12 drejtoritë e vendit rezulton se vetëm 5 prej tyre kanë kaluar më tej. Bëhet fjale për Ardian Çipën i cili pak ditë më parë u emërua në krye të policisë së Korçës, Gjovalin Loka drejtuesi i policisë së Elbasanit, Bledar Celiku i emeruar në kupolën e policisë së Vlorës, Luigj Vathin i cili mban detyrën e zv drejtorit të sigurisë në Tiranë si dhe Ferdinad Mara i cili u emërua në Fier.
Pjesa tjetër e drejtorëve ende nuk e kanë kaluar vettingun.
