Gati arrestime të tjera, Kraja: Lushnja vetëm fillimi, Çela: Të plotësohen vendet bosh nga Vettingu

Pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Lushnjes kreu i SPAK paralajmëron dosje të tjera. Sipas tij mbyllja e këtij hetimi është vetëm fillimi. Me vendimet e fundit ambasadorja e SHBA Yuri Kim theksoi se tashmë po krijohet besimi i publikut, teksa shtoi mbështetjen e vendit të saj në luftën ndaj korrupsionit.

Muajt e verës duket se do të jenë të ngarkuar me dosje nga SPAK madje dhe me urdhër arreste të tjera.

Në tryezën e përbashkët të institucioneve të reja të drejtësisë dhe në prezencën e ambasadores së SHBA Yuri kim, Arben Kraja thekson se ndalimi i kryebashkiakut të Lushnjes është vetëm fillimi

Kraja: Lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë është sfida kryesore. Ngjarjet e fundit është fillimi i një produkti për të cilën ne ka kohë që ka vijuar  dhe do të vijojnë deri në fund. Lufta ndaj pastrimit të parave, korrupsionit dhe shkelësve të ligjit do të vijojë deri në nxjerrjen para drejtësisë të fajtorëve.

Megjithatë ai shtoi se puna e prokurorëve përfundon kur çështjet mbyllen në gjykatë.

Duke i cilësuar hetimet komplekse dhe në mjaft raste sensitive ai kërkoi dhe një herë plotësimin me 20 prokurorë si dhe me garantimin e ambienteve për BKH që nis punën në gusht

Kraja: Byroja Kombëtare e Hetimit është drejt përfundimit grupi i parë nis punën dhe grupi i dytë besoj se deri në fund të vitit të jetë gati. Nisur nga numri i miratuar i grupit të Byrosë së Hetimit është e rëndësishme që të mendohet për hapësirën e tyre. Besoj se do të kemi punë për të bërë sidomos në raportimin e të dhënave.

Për ambasadoren e SHBA me veprimet e fundit ka nisur të krijohet besimi I publikut. Por po ajo shtoi dhe mbështetjen e SHBA në luftën ndaj korrupsionit.

Yuri Kim: Muajin e kaluar, Biden e bëri të qartë që SHBA e konsiderojnë korrupsionin kërcënim për sigurinë kombëtare, jo vetëm të SHBA, por edhe të aleatëve, prandaj zgjeroi urdhrin e tij. Ai ka identifikuar sjellje të tjera të dënueshme, dhe e ka bërë urdhrin ekzekutiv ndaj një game të gjerë të këtyre personave në Ballkanin perëndimor, duhet të nxisë prokurorinë që të luftojë korrupsionin. Ulja e numrit të prokurorëve për shkak të Vetting, theksojnë nevojën e përshtatjes së vazhdueshme, ju nxis që të punoni së bashku për të gjetur mënyra më të mira për t'i trajtuar ato.

Mungesat në sistem për shkak të Vettingut e solli në vëmendje dhe kryeprokurori Olsian Çela.

Çela: Po krijohen vakanca të përkohshme. Shtimi i oficerëve të policisë gjyqësore do të ndihmojë në vakancën e krijuar. KLP dhe PP të japin kontributin në funksion të përmbushjes së punës së prokurorit të Përgjithshëm për mbarëvajtjen.

Ndërsa, nga ana e saj ministrja Etilda Gjonaj nënvizoi rëndësinë e reformës në drejtësi.

Gjonaj: S'kemi vetëm institucione të reja me njerëz të rinj, por kemi një sistem drejtësie penale të ndryshuar tërësisht që respektohen parimet e paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit. Pavarësia e prokurorit është e garantuar nga sistemi ashtu siç është e garantuar promovimi. Tani jemi në një fazë tjetër atë të konsolidimit të rezultateve të reformës në drejtësi dhe sistemit penal. Raporti i reformës do të prezantohet shpejt. Tashmë është momenti që secili të shohë brenda përgjegjësisë së tij dhe funksionit të tij duke vendosur në themel standardet më të mira të drejtësisë së re. 

Po ashtu dhe kreu i KLP gent ibrahimi nënvizoi se me ndryshimet e bëra është decentralizuar pushteti dhe është kufizuar ndikimi i politikës në drejtësi.

Ibrahimi: E kam thënë disa herë se reforma e vitit 2016 mund të karakterizohet në disa mënyra, por një ndër më të saktat është depolitizimi i sistemit të drejtësisë. Reforma shënjoi një dorëheqje të mirëfilltë të politikanëve nga detyrat në fushën e drejtësisë.