KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Vlorës, Saimir Smaka
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Saimir Smakën, prokuror në Prokurorinë në Rrethin Gjyqësor Vlorë.
Prokurori i Vlorës, Saimir Smaka u përball të hënën më 5 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Procesi i tij i Vettingut u krye nga trupa e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Olsi Komici.
Saimir Smaka përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014. Prej 7 vitesh, ai e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Rrethit Vlorë.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2013, prokurori Saimir Smaka nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e tij familjare kap vlerën e 1.6 milionë lekëve.
Ai zotëron likuiditete bankare prej 1.3 milionë lekëve dhe një automjet të deklaruar në vlerën e 270 mijë lekëve.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 7.9 milionë lekë, nga të cilat 78% kanë si burim pagën e Z. Smaka, 16% të ardhurat e familjarëve dhe mbi 5% nga shitja e pasurisë së luajtshme.
Subjekti Saimir Smaka në vitin 2015 rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për të mbuluar shtesën e pasurisë në shumën 380,085 lekë, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet e konsumit për vitin.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, u identifikua si “flamur i kuq” deklarimi i paplotë për blerjen e një automjeti.
Në vitin 2015, Smaka deklaron kontratë kredie bankare me vlerë 312,000 lekë për blerje automjeti, por nuk e deklaron automjetin në rubrikën e aseteve si dhe nuk është e qartë sa është vlera e plotë e blerjes.

