E akuzonte se i vidhte shalqinin, 66 vjeçari nga Fieri plagos kushëririn

Dyshimet për vjedhjen e prodhimit të shalqinjve përfunduan me plumba.

Hajredin Nazëraj, 66 vjeç, sulmoi me armë gjahu kushëririn 37 vjeçar Klement Nazërajn.

Lufta për shalqinjtë u shënua në fshatin Vreshtas të Fierit.

66 vjeçari akuzonte të afërmin e largët se në vazhdimësi i kishte vjedhur shalqin nga ara ku ai e kultivonte.

Mësohet se për këtë kishin pasur debate edhe më parë, por këtë të mërkurë situata përshkallëzoi.

Pas debateve verbale me akuza, Hajredin Nazëraj, ka nxjerrë armën e gjahut dhe ka qëlluar ndaj 37 vjeçarit.

Klement Nazëraj mori plagë  të rënda në zonën e barkut.

Ai u dërgua me shpejtësi për në spitalin e Fierit, ku ende ndodhet nën kujdes mjekësor.

Disa minuta pas ngjarjes në zonë zbarkuan forcat e policisë së Fierit që vunë në pranga 66 vjeçarin.

Ndaj të cilit është ngritur akuza e "plagosjes së rëndë me dashje."

Në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e gjahut.

Në 6 muajt e parë të vitit, janë shënuar një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, disa nga të cilat kanë si shkak konflikte si ai mes dy kushërinjve në Fier.