Vokshi: Rama do të kapë AMA-n, standardi i tij për lirinë e medies nuk ka lidhje me Evropën

Pas kërkesës së delegacionit të BE që i bëri thirrje Parlamentit të shtyjë për në muajin shtator zgjedhjen e kreut të AMA ka reaguar edhe Partia Demokratike.

Përmes një postimi në Facebook, deputetja e dalë nga 25 prilli, Albana Vokshi shkruan se kjo është një tentativë e Edi Ramës për kapjen e plotë të Autoritetit të Medies Audiovizive.

Ajo shton se është e papranueshme edhe për Bashkimin Evropian dhe se plani për të emëruar zëdhënësen e tij në krye të AMA-s me një parlament njëpartiak është antidemokratik.

Vokshi: Tentativa e Edi Ramës për kapjen e plotë të Autoritetit të Medies Audiovizive është e papranueshme edhe për Bashkimin Evropian. Plani për të emëruar zëdhënësen e tij në krye të AMA-s me një parlament njëpartiak është antidemokratik. Standardi i Edi Ramës për lirinë e medies nuk ka lidhje me Evropën. Është koha që sot të tërhiqet!