I riu humbi jetën nga shpërthimi i gomës, arrestohet pronari i gomisterisë në Durrës
" Ambulanca u vonua 40 minuta."
Denoncimi i qytetarëve te Durrësit për neglizhencë të institucioneve përgjegjëse në rastin e vdekjes në punë të 23 vjeçarit Rafael Tafa, vuri në lëvizje autoritetet e rendit dhe drejtësisë.
Policia njoftoi nisjen e hetimit në gjendje të lirë për drejtuesin e autoambulancës Tiril Leba nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Për momentin nuk jepen detaje të rrethanave të vonesës së ambulancës.
Ka dyshime se shoferi mund te jetë përgjegjës në mosdhënien e ndihmës së parë për Tafën që humbi jetën nga shpërthimi i një gome kamioni, në vendin ku punonte prej 2 vitesh.
Urgjenca e Durrësit dhe as spitali ende nuk kanë reaguar zyrtarisht për ngjarjen, pavarësisht denoncimit për vonesën me 40 minuta të autoambulancës.
Gjithashtu për ngjarjen e rëndë, në pranga ka rënë edhe Xhemal Duka, pronari i servisit ku punonte 23 vjeçari.
Ai akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes, pasi dyshohet se nuk ka siguruar pajisjet e duhura për punonjësit.
