Tabelat greke në jug e të Kosovës në veri: Po Shqipëria?
Tabelat me emërtime greke në jug janë një fenomen i njohur për të gjithë, po ashtu edhe tabelat me emërtime qytetesh kosovare në veri.
Por si përgjigjet Zv.Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi në lidhje me këtë fonemen?
Zv.Ministrja thotë për emisionin "Ora Verore", se është normale të ketë tabela greke në zonat me minoritet grek, pasi vendi ynë bën pjesë në "Konventën e të Drejtave të Minoriteteve", që do të thotë se tabelat duhet të jenë patjetër në dygjuhësi. Çuçi gjithashtu pohon se Shqipëria është një vend, i cili e ruan identitetin e vet.
Ronaldo Sharka: Kemi vënë re se në jug përdoren shpesh emërtime greke, ndërsa në veri shumë biznese mbajnë emra të qyteteve të Kosovës. Si për shembull 'Restorant Tetova', 'Akullore Gjakova', 'Club Gjilani'. A ka plazhe në Shqipëri me identitet vendas?
Ornela Çuçi: Tabela greke në zonat që ka minoritete do gjesh patjetër, sepse ne kemi nënshkruar si vend "Konventën e te Drejtave të Minoriteteve" dhe duhet ta respektojmë. Detyrimisht në konventë shkruhet se në zonat me minoritet grek, tabelat duhet të jenë patjetër në dygjuhësi.
Për sa i përket identitetit, mendoj se në çdo vend në Shqipëri ka identitet. Fatmirësisht, sot Shqipëria është e gjithë-vizitueshme edhe për shkak të rilindjes urbane, sepse më parë im bir nuk e kishte idenë se ku ishte Belshi. Sot sa herë që na jepet mundësia, ne shkojmë ne Belsh, sepse atje ka agroturizëm të veçantë. Belshi ka krijuar identitetin e vetë dhe është pikë turistike aktualisht.
E njëjta gjë ndodh edhe në Gramsh, unë ua sugjeroj të shkoni. I gjithë vendi tashmë është lehtësisht i aksesueshëm dhe është një vend, i cili mund të ofrojë identitetin e vetë dhe është rikthimi identitetit të çdo qytetit. Qytetet tona kanë qenë pa identitet, shumica e tyre i kanë pasur qendrat e qyteteve si gërmadha.
Për të parë intervistën e plotë klikoni linkun: https://www.youtube.com/watch?v=DIGAsFGeUCo


