Më pak azilkërkues në Shqipëri/ Në vitin 2020 vetëm 2.232 aplikime, 423 morën shtetësinë shqiptare, 513 e lanë

Gjatë vitit të pandemisë rezulton se 423 të huaj kanë marrë shtetësinë shqiptare përkundrejt 513 që e kanë lënë përfundimisht. Sipas INSTAT situata me koronavirusin ka përgjysmuar kërkesat e të huajve për azil në vendin tonë, shumica e të cilëve vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Pandemia ka reduktuar ndjeshëm numrin e azilkërkuesve në Shqipëri gjatë vitit 2020.

Në publikimin më të fundit, INSTAT raporton se në vitin që lamë pas janë vetëm 2 mijë e 232 azilkërkues me një rënie prej 66% krahasuar me një vit më parë.

Duke analizuar origjinën e shtetasve që kanë kërkuar të jetojnë dhe punojnë në vendin tonë rezulton se shumicën e rasteve e përbëjnë ata nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

INSTAT raporton se në tremujorin e parë kanë aplikuar 2158 persona, ndërkohë që në nëntë muajt e tjerë të vitit janë regjistruar vetëm 74 kërkesa për azil.

Megjithatë, në vitin e pandemisë kanë arritur të marrin statusin e refugjatit dhe mbrojtjes vetëm 4 persona, të gjithë nga Siria.

Një vit më parë kjo statistikë fiksohej në 24 vendime pozitive por në rënie rezulton edhe numri i personave që kanë arritur të fitojnë shtetësinë shqiptare.

Gjatë vitit të pandemisë rezultojnë 423 shtetas që kanë siguruar pasaportën e vendit tonë me një rënie prej 12.8% krahasuar me vitin 2019.

Por pandemia duket se ka ndikuar pak te shqiptarët që kanë lënë shtetësinë.

Janë 513 persona të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Ky fenomen arriti rekordin në vitin 2019 me 741 persona.