Avokati rrihet me shkop bejsbolli në Sarandë, i thyejnë dorën e këmbën: Dyshoj për çështje pronësie

Një 39-vjeçar me profesion avokat u dhunua me shkop bejsbolli në qytetin e Sarandës. Një grup personash i zunë pritë në rrugë dhe i thyen një dorë e një këmbë. Në dëshminë e parë, ai ngriti dyshim sulmi mund të lidhet me një konflikt pronësie.

Një 39-vjeçar u dhunua me shkop bejsbolli në Sarandë. Mario Mejdi, me profesion avokat po udhëtonte me këtë makinë në afërsi të portit, kur ra pre e sulmit.

Autorët që paraprakisht thuhet se ishin të paktën tre veta e nxorën nga makina dhe nisën ta godasin në mes të rrugës.

Me shkopat e bejsbollit e sende të tjera të forta, avokatit 39-vjeçar i thyen një dorë dhe një këmbë, ndërsa i kanë shkaktuar edhe fraktura në trup.

Makina e dëmtuar është dëshmi e sulmit të dhunshëm.

Policia në njoftimin e parë flet për një konflikt të çastit.

Por vetë 39-vjeçari ka ngritur dyshime se sulmi ndaj tij lidhet me një çështje pronësie.

Në dëshminë e parë nga spitali i Sarandës ku po trajtohet, Mario Mejdi mësohet se ka treguar për një konflikt mes familjes së tij dhe disa personave të tjerë për prona.

Në ambientet e Policisë së Sarandës janë shoqëruar disa persona për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Por për momentin, nuk konfirmohet nëse mes tyre ndodhen edhe ata që bënë për spital avokatin 39-vjeçar.

Paralelisht, grupi hetimor po punon për sqarimin e shkaqeve pas këtij akti dhune në qytetin bregdet.