ISHTI sqaron shpërthimin në Velipojë: Një bombol kampingu kishte rrjedhje, gabim njerëzor
Shpërthimi i bombolës së gazit në një hotel në Velipojë të mëngjesin e së dielës, ngjarje ku mbetën të plagosur 4 anëtarë të familjes Gjoka ka si shkak një gabim njerëzor.
Ky është përfundimi në të cilin kanë dalë ekspertët e Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial pas hetimit të rastit që rrezikoi të shkaktojë një tragjedi.
“Shpërthimi dhe zjarri dyshohet të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit nga një nga bombolat e kampingut e cila mund të jetë lënë e hapur gjatë natës si pasojë e një gabimi njerëzor. Sasia e gazit të rrjedhur dhe hermeticiteti i ambientit ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktorëve të jashtëm si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore.”
Ngjarja në hotelin e familjes Gjoka në Velipojë u shkaktua nga një bombol kampingu. Drejtori i shërbimit zjarrfikës në Shkodër, Agron Dibra duke i konsideruar “kancer”, këshillon kujdes të veçantë në përdorimin e tyre.
"Pavarësisht apeleve qe kam bere ato bombola janë jashtëzakonisht të rrezikshme sidomos në Velipojë që qëndrojnë me nga 10 muaj pa u përdorur dhe më pas krijojnë rrjedhje. Bombolat e kampingut janë gangrena me e madhe qe kemi sepse nuk duhen përdorur gjithmonë," tha ai.
Prej paradites së të dielës, Alketa Gjoka bashkë me fëmijët e saj, 19, 15 dhe 12 vjec, janë në luftë për jetën dhe po trajtohen në repartin e diegie plastikës në QSUT.
Nëna e 40 vjeçares, tregon për gjendjen e tyre dhe shkakun e prag tragjedisë.
"Na thanë që kemi dhimbje të trupit. Vajza ishte duke bërë kafen, sa e mori shkrepësen e ndezi ka marrë flakë aty. Fëmijët ishin në gjumë, kur ka shkruar flaka te shtrati janë çuar. Nuk e di, i ka në dorë doktori dhe Zoti," tha ajo.
Na magazinën e hotelit të familjes Gjoka u gjetën edhe 6 bombola të tjera 3-5 litra të cilat u jepeshin turistëve.
Gjithashtu objekti ka edhe një çisternë 1 mijë litërshe që fatmirësisht ishte e boshatisur.
